Kronikë

Vëllai i Liridona Ademajt: Dhimbja po na shtohet, gjykimi të përfundojë shpejt

Naim Murseli

Naim Murseli, i akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt

Foto: Alban Bujari

Pak orë para mbajtjes së seancës gjyqësore në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, vëllai i saj, Leonardi, ka thënë se familjes po i shtohet dhimbja teksa ka uruar që gjykimi të përfundojë shpejt.

Liridona ishte vrarë më 29 nëntor 2023 në Bërnicë të Prishtinës. Në rastin për vrasjen e saj akuzohen bashkëshorti i saj, Naim Murseli dhe Granit Plava e Kushtrim Kokalla. Seanca të mërkurën do të mbahet me fillim prej orës 13:20.

“Sot në ora 13.20 vazhdon gjykimi për vrasjen e Liridonës tonë. I ftojmë mediat që ta përcjellin seancën. Dhimbja po na shtohet dhe nuk gjejmë asnjë ngushëllim sa herë e mendojmë dhe e shohim se si dy fëmijë të vegjël po rriten pa nënën e tyre. Urojmë që gjykimi të përfundojë shpejt”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Naim Murseli dyshohet se ka organizuar vrasjen e bashkëshortes së tij për motive hakmarrjeje dhe përfitim financiar nga një sigurim jetësor në Suedi në vlerë prej rreth 260 mijë eurosh. Për vrasjen, në aktakuzë thuhet se e ka planifikuar bashkë me Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën, duke i porositur për ta kryer vrasjen në këmbim të një pagese prej 30 mijë eurosh.

Në ditën e vrasjes, sipas aktakuzës, Murseli ka siguruar armën me 20 fishekë nga i akuzuari Tom Dodaj, për çmimin prej 280 eurosh.

Në seancën fillestare më 31 janar 2025, Murseli është deklaruar i pafajshëm. Plava nuk është deklaruar rreth fajësisë, ndërsa Kokalla ka kërkuar kohë për t’u konsultuar me mbrojtjen.

Ndërkohë, Tom Dodaj e ka pranuar fajësinë për shitjen e armës dhe është dënuar me 5 vjet burgim dhe një gjobë prej 5 mijë eurosh.

OSZAR »