Shqipëria nuk pësoi humbje në ndeshjet e qershorit, që vlerësohen të vështira për të gjithë lojtarët pasi janë në fund të një edicioni të gjatë e shumë të ngarkuar. Ndonëse nuk u mposht, Shqipëria në qershor është larguar goxha nga synimi madhor – kualifikimi historik në Kampionatin Botëror të futbollit.
Tashmë kuqezinjtë i kanë luajtur gjysmën e ndeshjeve kualifikuese për Kupën e Botës, që vitin e ardhshëm mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Aktualisht janë në vendin e dytë në grup, që siguron plejofin, por vetëm për faktin se përfaqësueset e tjera kanë më pak ndeshje të zhvilluara.
Është shpresuar në gjashtë pikë nga ndeshjet në shtëpi me Serbinë dhe në udhëtim me Letoninë. Por në vend të kësaj, të përzgjedhurit e Sylvinhos i fituan vetëm dy. Barazuan pa gola me Serbinë të shtunën në “Air Albania”, në atë që është vlerësuar dhe vazhdon të vlerësohet më shumë se vetëm ndeshje futbolli.
Ndërkohë kuqezinjtë dëshpëruan edhe të martën mbrëma në Riga, duke luajtur 1:1 me Letoninë.
Shqipëria nisi kualifikimet më 21 mars. Pësoi humbje të pritur nga Anglia në “Wembley”, 2:0. Më 24 mars në Tiranë fitoi 3:0 ndaj Andorrës, autsajderes së grupit. Anglia i ka fituar tri ndeshjet e deritashme dhe udhëheq në grup me nëntë pikë. Shqipëria ka pesë pikë nga katër ndeshje. Konkurrentja e madhe për vendin e dytë, Serbia, ka katër pikë, por vetëm nga dy ndeshje. Pason Letonia me katër pikë nga tri ndeshje, ndërsa Andorra i ka humbur katër ndeshjet e deritashme dhe është jashtë garës.
Shqipëria vazhdon të jetë në garë për kualifikim, por në gjysmë të fushatës kualifikuese, me gjasa dukshëm më të vogla. Tifozët kanë shpresuar që në ndeshjet e qershorit të bëhet hapi i madh drejt synimit, ndërsa ndodhi e kundërta.
Te Shqipëria ishin të dëshpëruar pas barazimit me Letoninë. Paraqitja u vlerësua e zbehtë dhe larg asaj të kërkuar për fitore me letonezët e papërshtatshëm.
“Asgjë nuk ka mbaruar. Është e vështirë. Me Serbinë është dashur të fitojmë, edhe me Letoninë po ashtu. Më nuk mund të lëshojmë pikë. I kemi humbur bonuset”, ka thënë portieri Thomas Strakosha. Ai priti penallti ndaj Letonisë, kurse reagoi zbehtë te goli i pranuar.
Selektori Sylvinho nuk ka pranuar përgjegjësinë për dështimin në Riga, ndonëse kjo i është kërkuar nga njohës të futbollit në Tiranë.
Ai është shprehur i zhgënjyer me rezultatin dhe me paraqitjen në pjesën e parë. Ka thënë se qasja nuk ishte e duhura.
“Jemi skuadër në rritje dhe kemi nevojë për më tepër kohë”, ka thënë Sylvinho.
Por “koha” për kualifikim në Botëror mund të mbarojë shpejt.
Ende pa luajtur në shtator, Shqipëria mund ta humbë vendin e dytë. Më 6 shtator janë ndeshjet Letoni – Serbi dhe Angli – Andorrë. Më 9 shtator, Shqipëria e pret Letoninë, në një ndeshje ku nuk guxon të gabojë. Më 11 tetor është udhëtimi i vështirë në Serbi, ndërsa dy ndeshjet e fundit janë në nëntor. Më 13 nëntor është sfida Andorrë – Shqipëri, ndërsa kuqezinjtë i mbyllin kualifikimet më 16 nëntor në shtëpi ndaj Anglisë. Ndeshja me favoriten e madhe të grupit mund të jetë e vonshme për synim të madh, nëse lëshohen pikë në tri ndeshjet e ardhshme.
Lëshimi i katër pikëve nuk është “disfata” e vetme e Shqipërisë nga ndeshjet e qershorit. Pakënaqësia e tifozëve të zjarrtë të Kombëtares shqiptare ka arritur kulmin këtë muaj. Grupet e organizuara të tifozëve kanë bojkotuar ndeshjen me Serbinë, të pakënaqura me mënyrën se si funksionon FSHF-ja, përkatësisht se si udhëheq Armand Duka. Tifozët vazhdojnë ta kundërshtojnë vendimin e FSHF-së dhe Dukës që ta organizojnë bashkë me Serbinë, Evropianin U21 të vitit 2027. Kanë pasur edhe pakënaqësi të mëdha për çmimin e biletave për ndeshjen e së shtunës dhe po ashtu për mënyrën se si janë ndarë biletat. Atmosfera megjithatë ishte e zjarrtë në stadium, megjithatë pa koordinimin që zakonisht e bëjnë grupet e organizuara të tifozëve.
Ndeshja e rrezikshmërisë së lartë me Serbinë u zhvillua pa ndonjë incident serioz. Por sollën shumë revoltë skenat ku shiheshin policët shqiptarë duke larguar nga tifozët simbole që kishin të bënin me UÇK-në. Sjellja e policëve u vlerësua tjetër “goditje”.
Kombëtarja e Shqipërisë megjithatë vazhdon të ketë përkrahje të madhe. Por vetëm përkrahja nuk mjafton për kualifikim në Botëror. Dhe ndeshjet që është dashur ta afrojnë Shqipërinë me Botëror, e kanë larguar shumë.