Botë

Rundi i pestë i negociatave SHBA-Iran solli përparim të kufizuar, thotë ndërmjetësi nga Omani

oman

Foto: Associated Press

Republika Islamike e Iranit dhe Shtetet e Bashkuara “kanë pasur përparim, por jo vendimtar” të premten në kuadër të rundit të pestë të negociatave në Romë mbi programin bërthamor iranian, ka bërë të ditur ndërmjetësi i bisedimeve nga Omani, Badr al-Busaidi, transmeton agjencia e lajmeve AP.

Deklaratat e al-Busaidit kanë sugjeruar se negociatat mes dy vendeve do të vazhdojnë, pavarësisht se bisedimet po përballen me sfidën më të madhe, e që është përpjekja për të arritur kompromis mes kërkesave amerikane që Irani duhet të ndalojë pasurimin e uraniumit, teksa Teherani zyrtar këmbëngul se programi i tij duhet të vazhdojë.

“Rundi i pestë i bisedimeve Iran-SHBA përfundoi të premten në Romë me disa përparime, por jo përfundimtare”, ka shkruar al-Busaidi në rrjetin social X.

“Shpresojmë të sqarojmë çështjet e mbetura në ditët në vijim, për të na lejuar të ecim përpara drejt një marrëveshje të qëndrueshme dhe të ndershme”, ka shtuar ai.

Kryediplomati iranian, Abbas Araghchi, është shprehur pas bisedimeve se al-Busaidi paraqiti disa ide që do t’u përcillen kryeqyteteve të të dyja vendeve. 

“Këto negociata janë tepër të ndërlikuara për t’u zgjidhur në vetëm dy apo tre takime”, ka thënë Araghchi.

“Jam shpresëplotë që në një ose dy rundet e ardhshme, veçanërisht duke pasur parasysh kuptimin më të mirë të qëndrimeve të Republikës Islamike, mund të arrijmë në zgjidhje që do t’i lejojnë bisedimet të përparojnë”, ka deklaruar ai.

Shtetet e Bashkuara u përfaqësuan sërish në bisedime nga i dërguari për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, dhe drejtori i planifikimit të politikave në Departamentin e Shtetit, Michael Anton, gjatë negociatave të mbajtura në Ambasadën e Omanit në lagjen Camilluccia të Romës.

Një zyrtar i lartë amerikan, i cili foli në kushte anonimiteti për shkak të natyrës së mbyllur të bisedimeve, ka bërë të ditur se negociatat direkte dhe indirekte “vazhdojnë të jenë konstruktive.”

“Bisedimet vazhdojnë të jenë konstruktive, kemi bërë përparim të mëtejshëm, por ende ka punë për t’u bërë”, ka thënë zyrtari.

 

OSZAR »