Nga Tirana, liderët evropianë paralajmëruan pasoja për Rusinë
Fundi i luftës në Ukrainë dhe çështje të tjera që prekin arkitekturën e sigurisë në Evropë kanë qenë ndër temat kryesore të diskutuara në kryeqytetin shqiptar, të premten nga shtetarë dhe përfaqësues të institucioneve evropiane dhe të NATO-s. Ky është takimi i parë i Komunitetit Politik Evropian që u zhvillua në një shtet ballkanik me Edi Ramën, si nikoqir i liderëve të disa prej vendeve më të fuqishme në botë.
Sekretari i NATO-s, Mark Rutte, duke iu referuar zhvillimeve në bisedimet Ukrainë-Rusi, e ka cilësuar si gabim nga ana e presidentit rus, Vladimir Putin, për të dërguar në bisedime në Turqi diplomatë të rangut të ulët. Ato u zhvilluan sot mes delegacioneve për herë të parë pas vitit 2022, por nuk prodhuan rezultat.
Si pasojë e refuzimit të Putinit për ta takuar presidentin Zelensky në Turqi, presidenti ukrainas zbarkoi në Tiranë për t’iu bashkuar liderëve të tjerë evropianë.
Zelensky gjatë sesionit të diskutimeve tha se ishte i gatshëm ta takonte Putinin, porse lideri rus nuk u pajtua të kishte takim tete-a-tete për të gjetur një zgjidhje politike.
“Nëse Putini nuk do të kishte pasur frikë të vinte në Turqi, isha i gatshëm për takim me të, që të mund t’i zgjidhim çështjet e rëndësishme, por ai nuk ra dakord për asgjë, ka thënë presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Nga Tirana, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, paralajmëroi se Bashkimi Evropian është në proces e sipër të prezantimit të sanksioneve të reja ndaj Rusisë, që kanë për qëllim të rrisin presionin ndaj politikave, siç i ka quajtur ajo, imperialiste të Rusisë.
I ashpër me Kremlinin është treguar edhe kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, i cili paralajmëroi federatën ruse për pasoja nëse vazhdon të zvarrisë procesin për t’i dhënë fund luftës.
“Nëse Rusia nuk ulet në tavolinën e bisedimeve, Putini duhet të paguajë çmimin. Dje siç u tha, ishte një dëshmi shtesë që Putini nuk është serioz rreth paqes. Rusia po zvarrit dhe po luan lojëra”, ka thënë Starmeri.
E për të ruajtur paqen dhe lirinë e evropianëve, kancelari i sapozgjedhur gjerman, Fridrich Merz, ka thënë se është jetike të ruhet aleanca mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Mendoj se duhet të bëjmë gjithë përpjekjet për t’i mbajtur amerikanët në anën tonë. Ne nuk mund ta zëvendësojmë atë çfarë amerikanët ende bëjnë për ne. Në Evropë, në kontinentin tonë, për paqen dhe lirinë tonë”, ka deklaruar Merz.
Në Samit, përveç zhvillimeve gjeopolitike e luftës në Ukrainë, u diskutua edhe për rreziqet e tjera qe i kanosen Evropës, sikurse migrimi, ngrohja globale e çështje të tjera.
Osmani takon Kallasin në Tiranë: Kosova është gati për hapin e radhës drejt BE-së
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar në Tiranë gjatë samitit me përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas.
Ajo e cilësoi Kallasin si mbështetëse të kahmotshme të një Evrope të sigurt dhe të bashkuar dhe njoftoi për vizitën e Kallasit në Kosovë gjatë javës së ardhshme.
“Duke qenë se gjatë vizitës së saj javën e ardhshme në Kosovë do të jem në një vizitë shtetërore të paracaktuar jashtë vendit, takimin e realizuam në Tiranë”, ka shkruar Osmani.
Ajo shtoi se Kosova është e gatshme për hapin e radhës në rrugën e saj drejt integrimit evropian dhe u bëri thirrje institucioneve të BE-së që t’i përgjigjen këtij momenti me guxim, qartësi dhe vendosmëri – sipas Osmanit, tipare që e karakterizojnë edhe vetë lidershipin e Kaja Kallas.
Merz i vendosur për mbështetjen për Ukrainën: Të bëjmë përpjekje që amerikanët t’i kemi në anën tonë
Kancelari gjerman Friedrich Merz gjatë fjalimit të tij në Samitin e Komunitetit Politik Evropian ka theksuar se duhet të vazhdohet mbështetje e fortë politike, ekonomike, financiare e ushtarake për Ukrainën.
Ai ka theksuar se “nuk duhet të ketë pikë dyshimi që ne jemi tërësisht të angazhuar dhe të gatshëm të japim mbështetjen tonë të plotë”.
“Kemi një sfidë që nuk është parë në këtë 10-vjeçar në Ukrainë, nuk është një luftë kundër këtij vendi, ne ishim në Kiev, e bëmë këtë jo vetëm në emrin tonë, por edhe në tuajin për të treguar vendosmërinë, jemi të vendosur që duhet të vazhdojmë t’i japim mbështetje të fortë ushtarake Ukrainës, këtij vendi që gjendet në vështirësi, përpjekjet tona kanë treguar sukses të vogël diplomatik”, është shprehur Merz.
Merzi ka theksuar se duhet bërë përpjekje që amerikanët të jenë në anën e Evropës.
“Ne duhet të bëjmë çdo përpjekje të mundshme që amerikanët t’i kemi në anën tonë, nuk mund t’i zëvendësojmë kurrsesi amerikanët dhe atë që ata bëjnë për ne në Evropë, në kontinentin tonë për paqen tonë, lirin tonë“, ka deklaruar Merz.
Costa: Duhet të jemi të bashkuar për të siguruar paqen në Ukrainë
Në nisje të Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa bëri thirrje për unitet, në mënyrë që të arrihet një paqe e qëndrueshme për Ukrainën dhe Lindjen e Mesme.
Costa para liderëve të shteteve evropiane tha se nëse nuk arrihet paqja e qëndrueshme, atëherë do të minohet jo vetëm siguria evropiane, por edhe autoriteti i saj.
“Rendi shumëpalësh vazhdon të sulmohet nga hera e në mënyrë të vazhdueshme dhe Evropa ka detyrë të punoj për këtë çështje, ne duhet të jemi të bashkuar dhe Evropa duhet t’ia dal mbarë për të sjell një paqe të drejtë dhe kohë gjatë për Ukrainën dhe ne e dimë i dashur president Volodomyr Zelensky, që siguria juaj është edhe siguria jonë. Evropa gjithashtu duhet të investojë më shumë te mbrojtja e saj, sepse ne kemi mësuar se paqja pa mbrojtje është iluzion, Evropa duhet t’ia dalë mbanë për të krijuar kushtet e duhura, për të pasur zgjidhjen e duhur për paqe në Lindjen e Mesme, sepse nëse rast se nuk e bëjmë këtë do të minohet jo vetëm siguria e gjithë Evropës dhe vendeve të tjera fqinje, por edhe autoriteti i saj. Evropa duhet t’ia dalë mbarë për të thelluar dhe zgjeruar rrjetat e saj në tregtisë botërore dhe begatisë”, tha Costa.
Presidenti i Këshillit Evropian shprehu gatishmërinë e Bashkimit Evropian për të punuar afër me të gjithë partnerët e saj për të ardhmen.
“Bashkimi Evropian është i gatshëm të luajë këtë rol të plotë në këtë Evropë të re, në këtë botë të re duke punuar nga afër me të gjithë partnerët tanë evropianë. BE e re do të jetë një partner i besueshëm për integrimin evropian, por edhe për bashkëpunimin për energjinë, sigurinë, mbrojtjen, për të mbrojtur klimën. Pra, duhet përdorur kjo energji, ky motivim për të ardhmen e fëmijëve dhe energjinë e mikut tonë Edi Rama që të punojmë së bashku si evropian”, tha ai./KP
Erdogan kërkon armëpushim në Ukrainë e mobilizim për dërgimin e ndihmave në Gazë
Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se lufta në Ukrainë duhet të përfundojë.
Në fjalën e tij në Samitin e Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, Erdogan ka folur për bisedimet mes Rusisë dhe Ukrainës në Stamboll, duke thënë se kanalet e dialogut duhet të mbeten të hapura.
“Jemi në një moment kritik që armët të ndalen dhe paqja të vendoset në Ukrainë. Gjithsecili po kontribuon, inkurajimi i palëve pa u imponuar asgjë është i rëndësishëm. Duhet ndalur gjakderdhja. Sot po zhvillohen bisedime në Stamboll, në këtë fazë mbështetemi te të gjithë partnerët tanë për t’i mbajtur të hapura kanalet e dialogut”, ka theksuar Ergogan.
Ai ka theksuar se Turqia do të vazhdojë të bëjë pjesën e saj në këtë proces.
Presidenti turk e ka kritikuar qasjen e politikanëve ndaj konfliktit në Gazë.
“Nuk kemi asnjë veprim për të arritur një dinjitet njerëzor sa i takon Gazës, përveç një armëpushimi të përhershëm duhen mobilizuar mjetet për dhënien e ndihmave dhe për të bërë Gazën të jetueshme sërish”, është shprehur Erdogan, raporton TCH.
Ai ka thënë se liderët e Evropës duhet të veprojnë të bashkuar dhe të orientuar nga fryma e veprimit të përbashkët.
“Për të tejkaluar krizën e besimit në arenën ndërkombëtare, duhet të ndërtojmë një arkitekturë të drejtë dhe gjithëpërfshirëse të qeverisjes globale. Ka një potencial të jashtëzakonshëm për bashkëpunim. Janë shumë fusha ku ne mund të bashkëpunojmë. Në këto kohë kritike kur diskutojmë të ardhmen e sigurisë evropiane, duhet të përfitojnë edhe aleatët që nuk janë pjesë e BE-së. Kjo ide do të ishte në interes të sigurisë evropiane. Koha ka treguar se nëse përçaheni jeni më të dobët, nëse bashkohemi jemi më të fortë”, është shprehur Erdogan.
Starmer: Nëse nuk ulet në tryezën e bisedimeve, Putini duhet ta paguajë çmimin
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, gjatë fjalës së tij në Samitin e Komunitetit Politik Evropian që po mbahet në Tiranë, theksoi rëndësinë e sigurimit të një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme në Evropë.
Ai paralajmëroi se nëse Rusia nuk pranon të ulet në tryezën e bisedimeve, atëherë Vladimir Putin duhet të përballet me pasojat.
“Sfida më urgjente për kontinentin tonë është paqja. Duhet të bëjmë më shumë për mbrojtjen tonë. Javën e kaluar shpalla një paketë të re sanksionesh ndaj flotës hije ruse. Nëse Rusia vazhdon të shmangë bisedimet, atëherë Putin duhet ta paguajë çmimin”, u shpreh Starmer, transmeton TCH.
Ai shtoi se Rusia po zvarrit procesin e paqes dhe po luan lojëra, ndërsa theksoi se armëpushimi është urgjent dhe jetik.
Në këtë kontekst, Starmeri njoftoi se Britania do të rrisë buxhetin e saj të mbrojtjes në 2.8% të PBB-së deri në vitin 2027, duke riafirmuar angazhimin e Londrës për sigurinë e kontinentit.
“Britania e Madhe është gati të luajë rolin e saj dhe kjo nënkupton më shumë investim në mbrojtje. Është koha të punojmë së bashku për të mbrojtur vlerat tona të përbashkëta”, ka thënë kryeministri britanik.
Macron: Rusia nuk e do armëpushimin – Evropa duhet të tregojë unitet përballë agresionit
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, nga Samiti i gjashtë i Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, përsëriti thirrjen për një reagim të përbashkët evropian kundër agresionit rus në Ukrainë, duke theksuar se Rusia nuk dëshiron armëpushim dhe se përballë kësaj situate, Evropa duhet të qëndrojë e bashkuar.
“Jemi këtu sot në një kohë kur situata në kontinentin tonë i jep seriozitet këtij takimi. Ka kërcënime të mëdha për unitetin tonë, dhe kryesorja mbetet lufta e agresionit rus në Ukrainë”, u shpreh Macron.
Ai theksoi nevojën për vazhdimin e mbështetjes ndaj Ukrainës, duke kujtuar se koalicioni i të vullnetshmëve që është krijuar duhet të jetë i qëndrueshëm. Sipas Macronit, Rusia duhet t’i rikthehet negociatave të vitit 2022, ndërsa Evropa të kërkojë paqe të qëndrueshme dhe jo të imponuar.
Macroni theksoi edhe rëndësinë e mbrojtjes së Moldavisë nga ndikimi dhe presioni rus, sidomos në prag të zgjedhjeve.
Në fjalim, Macroni u ndal edhe te kriza humanitare në Gaza, duke thënë se është urgjente vendosja e një armëpushimi të qëndrueshëm, ndërsa theksoi se bota ka sytë nga Evropa, përfshirë Kina, India dhe Afrika.
“Na duhet paqe, diplomaci, unitet për demokracinë tonë. Duhet një reagim i përbashkët që të jemi të besueshëm. Na duhet një shtyllë e fortë evropiane brenda NATO-s”, përfundoi Macron.
Rama: Evropa ka nevojë për një aleancë përtej armatimit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë thirrje për një vizion të ri evropian që shkon përtej sigurisë ushtarake, gjatë fjalimit të tij në Samitin e Komunitetit Politik Evropian (EPC) që po mbahet në Tiranë të premten.
Ai u shpreh se është koha që Evropa të investojë më shumë në mendjet dhe zemrat e të rinjve, përmes arsimit, shkencës dhe inteligjencës artificiale, duke propozuar një “KPE të arsimit, shkencës dhe IA-së” – një lloj aleance të re që do të krijonte burime të përbashkëta dijeje dhe inovacioni.
“Pse mos të imagjinojmë një aleancë përtej armatimit, ku vendet që nuk janë anëtare të BE-së bëhen kufij të rinj të dijeve, një ringjallje e asaj që pasoi rënien e murit të Berlinit?”, ka thënë Rama.
Ai shtoi se Evropa duhet të ofrojë më shumë arsye për të rinjtë që të qëndrojnë dhe të ëndërrojnë në kontinentin evropian, përtej diskursit mbi luftën dhe armatimin.
“Le të sigurohemi që rrugëtimi i Evropës nuk është një udhëtim rrëmbimi, por një udhëtim rilindjeje. Një kthim në shtëpi – jo me formën e armëve, por me imagjinatën e fëmijëve tanë”, u shpreh ai.
Rama theksoi se ideali evropian nuk duhet të humbasë përballë maktheve të luftës, por të ruajë thelbin e paqes dhe bashkëpunimit.
“Paqja nuk ka konkurrentë, e kemi mësuar këtë në Ballkan. I kemi mbijetuar luftës, kolapsit ekonomik dhe kemi kuptuar se bashkëpunimi është rruga e vetme pa humbës”, përfundoi ai.
Osmani nga Tirana: Zëri i Kosovës është i pranishëm aty ku vendoset për të ardhmen e Evropës
Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se pjesëmarrja e saj në samitin e gjashtë të liderëve të Komunitetit Politik Evropian (EPC), që po mbahet në Tiranë, është dëshmi se Kosova është faktor i rëndësishëm në skenën politike evropiane.
“Sot në Tiranë filloi Samiti i liderëve të Komunitetit Politik Evropian. Pjesëmarrja jonë e gjashtë në këtë samit është dëshmi se zëri i Kosovës është i pranishëm, i domosdoshëm dhe kontribuues në platformat ku diskutohen sfidat e përbashkëta dhe vendoset për të ardhmen e kontinentit tonë,” ka shkruar Osmani.
Ajo theksoi se Kosova është pjesë aktive e diskutimeve që prekin sigurinë, paqen dhe zhvillimin e rajonit e më gjerë në Evropë.
Osmani ka ndarë foto duke u përshëndetur me liderën evropianë.
Në samitin që po mbahet në Tiranë marrin pjesë 47 liderë evropianë, ndërsa në fokus të diskutimeve janë sfidat e përbashkëta të sigurisë, energjisë dhe integrimeve evropiane.
Zelensky: Putini pati frikë të takohej me mua, dërgoi ‘kokëboshë’ në takim
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të premten ka deklaruar nga Samiti i Komunitetit Politik që po mbahet në Tiranë se presidenti rus Vladimir Putin ka pasur frikë të përballet me të në bisedime të drejtpërdrejta për t’i dhënë fund luftës.
“E vlerësoj shumë faktin që e kuptoni njësoj situatën. Lufta kundër Rusisë duhet të përfundojë shumë shpejt. Ju të gjithë e dini këtë. Duhet të ndërmerren disa hapa të rëndësishëm për t’i dhënë fund luftës”, ka thënë Zelensky.
Ai bëri të ditur se ka qenë i gatshëm për një takim me Putinin në Turqi, por pala ruse nuk ka pranuar asnjë kusht.
“Nëse Putini nuk do të kishte pasur frikë të vinte në Turqi, isha i gatshëm për një takim me të për të mundur t’i zgjidhim çështjet e rëndësishme, por ai nuk ra dakord për asgjë,” u shpreh Zelensky, transmeton TCH.
Sipas tij, Rusia ka dërguar në bisedimet që po mbahen në Turqi delegacione me njerëz pa ndikim dhe pa autoritet vendimmarrës.
“Delegacioni rus ishte i një niveli shumë të ulët dhe s’mund të merrnin vendime. Unë dërgova një ekip që udhëhiqej nga ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, për të pasur armëpushim të plotë. Rusia ka dërguar të njëjtët njerëz. Kanë bërë shumë deklarata dhe kërcënime që takimin e Stambollit ta kthejnë në një proces bosh”, citohet të ketë tutje presidenti ukrainas.
Zelensky akuzoi Moskën se po minon çdo përpjekje për paqe duke e cilësuar qasjen e saj si “teatër”.
“Nuk jemi ne apo Perëndimi që po i minojmë këto negociata, por janë rusët që kanë dërguar ‘kokëboshë’ në këto takime. Ajo që shikoj nga delegacioni rus është teatër,” përfundoi ai.
Von der Leyen: BE-ja po përgatit sanksione të reja për ta rritur presionin ndaj Rusisë
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar të premten në Tiranë, se Bashkimi Evropian është në proces e sipër të formulimit të sanksioneve të reja, që kanë për qëllim të rrisin presionin ndaj presidentit rus, Vladimir Putin.
Deri më tani, BE-ja ka miratuar 17 pako sanksionesh kundrejt Rusisë, porse diplomatët kanë shprehur skepticizëm se mund të arrihet konsensusi i 27 vendeve anëtare të bllokut për të kaluar masat e reja, transmeton Reuters.
“Ai s’dëshiron paqe, si rrjedhojë ne duhet të rrisim presionin, dhe pikërisht kjo është arsyeja se pse ne po punojmë rreth një pako të re sanksionesh”, ka thënë von der Leyen, para Samitit të Komunitetit Politik Evropian.
“Kjo pako do të përfshijë, për shembull, sanksione ndaj Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2. Do të përfshijë gjithashtu më shumë anije të flotës së errët ruse dhe uljen e kufirit të çmimit të naftës, si dhe më shumë sanksione ndaj sektorit financiar në Rusi”, ka vazhduar ajo.
Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2, secili i përbërë nga dy tubacione, u ndërtuan nga kompania shtetërore ruse, Gazprom, për të transportuar gazin natyror në Gjermani përmes Detit Baltik. Ato u dëmtuan nga një seri shpërthimesh në vitin 2022.
Osmani: Para dialogut, të hiqen masat ndaj Kosovës
Presidentja Vjosa Osmani, edhe në deklarimin e saj para fillimit të Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, ka përsëritur thirrjen për heqjen e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.
Ajo ka thënë se është koha për veprime konkrete në këtë drejtim, para dialogut Kosovë-Serbi.
“Sa i përket dialogut Kosovës Serbi, ne më parë duhet të flasim për heqjen e masave ndaj Kosovës sepse kjo e dëmton edhe vetë kredibilitetin e BE-së, kam kërkuar edhe mbrëmë gjatë darkës me liderët e BE-së, do të kërkoj edhe sot, sepse kjo do t’i jepte kredibilitet dialogut, por Kosova është gjithnjë e gatshme që të marrë pjesë në këtë proces”, është shprehur Osmani.
“Kosovës është 100% në linjë me vendimet e BE-së sa i përket politikës së jashtme dhe asaj të Sigurisë”, ka shtuar ajo.
VIDEO:
Rutte: Putini bëri gabim që çoi delegacion të nivelit të ulët në Turqi
Sekretari i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se presidenti rus Vladimir Putin ka bërë gabim që ka dërguar delegacion të nivelit të ulët në bisedimet për paqe Rusi-Ukrainë, që pritet të zhvillohen të premten.
“Putini bërë gabim që dërgoi një delegacion të nivelit të ulët, ndërkohë që është shumë e mirë që ukrainasit kanë ardhur në tryezë dhe kanë dërguar një delegacion mjaft të prirur për të negociuar për paqen”, ka theksuar Rutte, para nisjes së Samitit të Komunitetit Politik në Tiranë.
Ai ka thënë se është i lumtur për rolin që po e luan SHBA-ja në këtë proces dhe rolin që ka marr presidenti amerikan Donald Trump për të zhbllokuar këtë situatë.
Kallas: Presim normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka thënë se presin normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Pak më parë kemi emëruar përfaqësuesit e ri për dialogun Kosovë-Serbi, presim normalizim të marrëdhënieve sigurisht”, është shprehur Kallas, kur është pyetur për procesin e dialogut.
Kallas këto komete i ka bërë para nisjes së Samitit të Komunitetit Politike në Tiranë.